Grevisti i urisë, shqiptari Pano Ruçi (Routsis) u shtrua në Spitalin e Përgjithshëm Shtetëror të Nikeas në Greqi mëngjesin e sotëm (3 tetor), për t’iu nënshtruar analizave.
Sipas një njoftimi zyrtar të autoriteteve shëndetësore, 48-vjeçari ka përjetuar lodhje të fortë, përgjumje, si dhe episode të përsëritura hipoglicemie dhe mpirje në gjymtyrët e poshtme në ditët e mëparshme, ndërsa në total, brenda 19 ditëve, ai ka humbur 10 kilogramë. Kjo korrespondon me 8.9% të peshës së tij fillestare trupore.
Siç raportojnë mjekët, Ruci, tashmë në ditën e 19-të të grevës së tij të urisë, “vazhdon të jetë në rrezik të shtuar për ndërlikime serioze”. Deklarata e “mjekëve të solidaritetit” që po e monitorojnë atë thekson gjithashtu se 48-vjeçari grevist urie refuzon të shtrohet në spital.
Ruçi është babai i Denis Ruçit, 22-vjeçarit i cili humbi jetën tragjikisht në aksidentin e Tempit tre vjet më parë, bashkë me shumë të tjerë, pas përplasjes së dy trenave. Ai kërkon zhvarrosjen e trupit pasi beson se në arkivol nuk ndodhet i biri, duke kërkuar analiza toksikologjike për shkakun e vdekjes, përveç atyre të ADN-së. Gjykata e Larisës pranoi kërkesën për zhvarrosjen dhe javën tjetër do kryhet procesi pas kërkesës së avokates së tij.
Mjekët thanë se Ruçi ka një histori personale të hipertensionit, aritmisë kardiake, vaskulopatisë periferike, dislipidemisë, apnesë së gjumit dhe gastritit dhe u ekzaminua sot në Departamentin e Urgjencës së Spitalit të Përgjithshëm Nikaia, informon “Protothema”.
Në ditët e mëparshme, ai ka përjetuar lodhje ekstreme, përgjumje, si dhe episode hipoglicemie kufitare dhe të përsëritura, dhe mpirje në gjymtyrët e poshtme.
Vetë Ruçi deklaron se “nuk ka ndërmend të ndalojë së abstenuari nga ushqimi derisa kërkesa e tij të plotësohet”.