Një video me përmbajtje pornografike, e xhiruar në një fshat të Fierit, ka tronditur opinionin publik.
Pamjet tregojnë një çift që kryen marrëdhënie seksuale pa asnjë shqetësim, ndonëse e dinë se po filmohen, dhe ajo që e bën ngjarjen edhe më të rëndë është fakti se në të njëjtën dhomë gjendeshin fëmijët e mitur të familjes.
Protagonistja e videos është halla e tre fëmijëve, bashkë me partnerin e saj. Ata jetojnë të gjithë së bashku në një shtëpi të vjetër, në kushte të mjerueshme, pa drita dhe pa asnjë standard jetese. Nën të njëjtën çati, ndodhen edhe nëna e fëmijëve me katër të vegjlit e saj, ndërsa bashkëshorti punon në emigracion.
Familja, e varfër dhe e braktisur, është kthyer në një ambient ku kushdo hyn e del, ku mungon çdo kontroll dhe ku fëmijët rriten mes varfërisë, pakujdesisë dhe sjelljeve të rrezikshme të të rriturve.
Gjatë vizitës në banesë, gazetarët u përballën me një realitet tronditës. Një nga djemtë e mitur kishte vizatuar në ballë një figurë banale, ndërsa vajza e vogël, e pyetur për origjinën e vizatimit, përmendi telefonin duke lënë të kuptohet se kishte parë materiale të papërshtatshme. Nga bisedat me fëmijët doli në pah se ata e dinin për ekzistencën e videos dhe madje e shoqëronin me batuta. Një prej tyre përmendi edhe emrin e partnerit të hallës protagonist i videos, i cili prej vitesh punon si gurëpunues në Greqi.
Nëna e fëmijëve, e mbetur e vetme dhe në kushte ekstreme, tregoi mungesë totale reagimi kur iu shfaq videoja. Sjellja e saj tregon qartë se ndodhet në një gjendje që kërkon ndihmë të specializuar, pasi nuk arrin ta lidhë këtë ngjarje tronditëse me pasojat që ka tek fëmijët e saj.
Ky rast i rëndë hap sërish plagën e madhe të abuzimit, neglizhencës dhe mungesës së mbrojtjes për fëmijët në zonat rurale të vendit, ku varfëria dhe mungesa e institucioneve lënë hapësirë për tragjedi të tilla.