Detaje të reja janë publikuar në mediat kolumbiane lidhur me rrjetin e prostitucionit që u godit në Tiranë dhe Kolumbi.
Policia Kombëtare e Kolumbisë, në një operacion të koordinuar me Prokurorinë e Përgjithshme të Shtetit dhe agjenci ndërkombëtare si Europol, ka goditur një strukturë të fuqishme kriminale transnacionale të njohur si “RAPHAX”, e cila merrej me trafikimin e qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual në Evropë.
Operacioni u realizua përmes kontrolleve të njëkohshme në disa qytete të vendit.
Si rezultat i ofensivës policore, u ekzekutuan 12 urdhër-arreste në qytetet Medellín (9), Pereira (2) dhe Cali (1) ndaj anëtarëve të kësaj rrjete kriminale.
Të gjithë të ndaluarit do të përballen me akuza për trafikim personash për qëllime shfrytëzimi seksual dhe pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar.
Rekrutimi i 60 viktimave dhe rruga e shfrytëzimit
Hetimet zbuluan se grupi kriminal “RAPHAX” kishte rekrutuar më shumë se 60 viktima në qytetet Medellín dhe Cali.
Viktimat dërgoheshin në një rrjet shfrytëzimi që operonte në disa vende evropiane, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maltën, Kroacinë dhe Kosovën.
Ato kontaktoheshin nëpërmjet rrjeteve sociale, ku mashtrimi bëhej përmes ofertave të rreme pune.
Udhëheqësi i rrjetit, i njohur me nofkën “LUKAS”, u arrestua në Medellín.
Ai ishte një objektiv me prioritet të lartë dhe kërkohej ndërkombëtarisht në Shqipëri dhe Maltë si organizatori kryesor i rekrutimit të grave për shfrytëzim.
Skllavëri për borxh dhe bashkëpunim ndërkombëtar
Pasi mbërrinin në Evropë, viktimat vendoseshin në kushte të ngjashme me skllavërinë moderne.
Shfrytëzuesit u vendosnin një borxh fillestar prej 5 mijë eurosh për udhëtimin dhe akomodimin, i cili në praktikë bëhej i pamundur për t’u shlyer, pasi të ardhurat e tyre mbaheshin nga rrjeti dhe ndaj tyre vendoseshin gjoba të vazhdueshme.
Operacioni u zgjerua edhe në Evropë, ku Europol ekzekutoi shtatë urdhër-arreste të tjera ndaj anëtarëve të rrjetit në Shqipëri.
Ky bashkëpunim thekson rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar transnacional.
Deri tani, gjatë këtij viti, Policia Kombëtare e Kolumbisë ka kryer 13 operacione kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke arrestuar 80 persona, nga të cilët 19 janë të huaj, çka tregon angazhimin e Kolumbisë në luftën kundër këtij fenomeni.