“Vrasësit m’i sollën me USB, në një zarf poshtë derës! Ishte Redjan Rraja dhe një qeros”- Atentati ndaj ish-Prokurorit, babai i Andi Malokut: “Rrumi i Shijakut” ma tha “E ka porositur…”

Genc Maloku, babai i të ndjerit, Andi Maloku, shoferi që mbeti i vdekur nga atentati që iu bë ish-prokurorit, Arjan Ndoja, te mbikalimi i Shkozetit më 1 Nëntor 2019, gjatë dëshmisë në GJKKO ka deklaruar se i ka ardhur një zarf poshtë derës pas ngjarjes, ku brenda saj ishin vrasësit e të birit.

“Ishte Redjan Rraja dhe një qeros”, tha Genc Maloku, duke shtuar se “USB-në e prisha unë”.

Babai i viktimës theksoi se pas daljes nga spitali, Aleksandër Laho alias Muharremi, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut, i cili ndodhej në makinë me prokurorin Arjan Ndoji kur ndodhi atentati, i tha që porositësi ishte Plarent Dervishaj.

““Rrumi” ma ka thënë i pari, pasi doli nga spitali se “e ka porositur Plarent Dervishaj”. Nuk kishte motiv me djalin tim. S’kishte pse qëllohej. Dihet kush ishte motivi. As Rrumi, asnjë njeri s’më intereson. Mua më ka ikur djali 23 vjeç. Ma kthen ti dot djalin? Ma kthen?! Normal që nuk ka qenë djali im objektivi”, deklaroi ai.

Dëshmia e Genc Malokut në GJKKO:

Prokurori: Arjan Ndojn e njihni, keni kontakte?

Genc Maloku: Arjan Ndoj në atë periudhë ishte prokuror në Durrës. Ditën e ngjarjes isha në shtëpi, më mori vetë djali. “Jam keq o babë më tha, më kanë gjujt.” (Qan)

Ka qenë ora 4 e gjysmë, 5. Nuk e pashë orën tamam. Mendova se ishte shaka. Po ç’shaka. Orar pasditeje. Në spitalin ushtarak shkova, te vendi i ngjarjes jo.

Komunikova me djalin: “Po ecnim, nuk ishim me shpejtësi, veç kur na vjen një makinë”, më tha. Kishin qenë në një restorant përpara, djali ka qenë jashtë. Në automjet me djalin kanë qenë prokurori dhe Rrumi. Pas ngjarjes jam takuar me prokurorin, më ka ardhur te shtëpia. Rrumi ishte akoma në spital, prokurori ishte më mirë, më erdhi te shtëpia. Pas 7 ditësh djali ndërroi jetë.

Lexova dosjen. Në fillim nuk dinin gjë. Më thanë këtë që na ka gjuajtur Plarent Dervishi. Rrumi më tha, jo Arjan Ndoja. Nuk di të kenë pasur ndonjë konflikt. Kanë ardhur familjarët e Redjan Rrajës. Janë nga Nikla ata. Tre pleq kanë ardhur, një me mbiemër Boja, një plak. “Mos keni konflikte gjëra, gjersa të zbardhet”, këtë më thanë.

Pas ngjarjes, 1 javë pasi nuk ishte çuni më ka ndodhur takimi. Takimi i parë është bërë në Tiranë, isha unë, çuni i xhajës, Bashkimi. Takimi tjetër është bërë në Sukth, nuk e mbaj mend sa kohë kishte kaluar, por si fillim vitit më duket. Biseda ishte “prit të dalë njëherë e vërteta”. Redjan Rraja ishte arrestuar. Njeri tjetër nuk më ka kontaktuar.

Arjol Haliajn, e kam parë në proces. Familjarët e tij, po. Xhaxhain. Kemi diskutuar, “prit sa të dalë e vërteta”.

Halit Valterin e njoh. Ia kërkova unë takimin. I dhashë një USB. Ishte deputet në atë kohë. Ma sollën poshtë derës në një zarf USB, pak kohë pas ngjarjes. E hapa, ishte Redjan Rraja me kapele. Ishte dhe një qeros. USB e prisha. Autorët janë Redjan Rraja, kanë dalë. Unë vetë di që autorët janë këta.

Plaurent Dervishaj, Juljanin nuk e njoh, Vullnet Muçën e njoh. E njoh se jam rritur aty. Është vëllai i Rrumit.

Asnjë gjë nuk kam mësuar nëpër takime. As me Arjan Ndojën nuk kam mësuar gjë. Arben Malokun e kam çun xhaje. Personi që bëri lidhjen mes djalit e Arjan Ndojës.

Djali kishte një vajzë nga Durrësi, e takonte shpesh. Aty e pa çuni i xhajës. Bënte stërvitje, s’pinte as alkool, as cigare. Çuni i xhajës punonte shofer në prokurori. Ai i tha do ishte mirë të bëhej shofer. Unë s’pranova në fillim.

Nuk ishte shofer zyrtar. Një muaj e ca shërbeu. As rrogën e dytë s’mori. Nuk më ka paraqitur ndonjë shqetësim, unë kam qenë në Itali pas 3-4 ditësh ndodhi ngjarja. Djali im shoqërohej me çuna të moshës së tij. Me Pëllumb Muharremin dhe Vullnet Muçën, nuk besoj se ka qëndruar me ta. Djali im është rritur në Tiranë. As me Arben Mërkurin. Fare.

“Rrumi” ma ka thënë i pari, pasi doli nga spitali se “e ka porositur Plarent Dervishaj”. Nuk kishte motiv me djalin tim. S’kishte pse qëllohej. Dihet kush ishte motivi. As Rrumi, asnjë njeri s’më intereson. Mua më ka ikur djali 23 vjeç. Ma kthen ti dot djalin? Ma kthen?! Normal që nuk ka qenë djali im objektivi.

Ilia Ilia: Qartazi e nderuar që objektivi ka qenë Rrumi e nderuar. Siç dhe ne pretendojmë

Plarent Dervishaj: Më vjen keq për djalin. Më vjen keq dhe për Arjan Ndojën, ata kanë qenë më të pafajshmit në atë atentat.

Kur të ka përmendur Rrumi emrin tim, pse mendon se ta ka përmendur?

Genc Maloku: Nuk e di nga ka ardhur më tha në fillim. Por më pas, më tha emrin tënd. Por pa motiv.

Avokatja: Halit Valterin, si e njihni?

Genc Maloku: E pashë në parlament. Ishte më aktivi. E kontaktova me anë të njerëzve. USB m’u soll te porta në një zarf, e kam deklaruar në prokurori. USB e prisha unë.

Genc Maloku: Mërkuri, ka pasur pseudonimin, “Maneci”. Më ka ardhur një mesazh, “Si shpesh shkon nga prokuroria, më tha jam Plarent Dervishaj”. Është fakt, e kam denoncuar në komisariatin nr. 6.

Genc Maloku-Plarent Dervishajt: Mirë për djalin të vjen keq, po mua pse donit të më vrisnit. Nuk e kuptoj, nuk ju kemi bërë asgjë.

Plarent Dervishaj: Hajde të takohemi ta them përballë.

Debat i fortë në sallë mes Plarent Dervishaj dhe dëshmitarit.

Plarent Dervishaj: A ta ka përmendur Rrumi emrin tim?

Dëshmitari shoqërohet jashtë gjykatës.