Kryeministri Edi Rama deklaroi se në zonat ku vihet zjarr, me synim për hapjen e hapësirave për ndërtime, se nuk do të lejohen për 30 vite dhënia e lejeve. Në një takim me Forcat e Shërbimit të Zjarrfikëses, Rama theksoi se ta kenë të qartë të gjithë ata që kanë orekse të tilla.
“Policia ka bërë të mundur të arrestojë psikopatë dhe kriminelë që vënë zjarre.
Besoj shumë që fakti që ky sezon solli kaq përmirësim në këtë aspekt, dhe këtu kemi hapësirë për të rritur forcën goditëse të policisë, për parandalim. Duke bërë që sot një punë operative në territor, për të identifikuar personat potencialisht të rrezikshëm. Këta që vënë zjarre, siç duket kanë disa karakteristika si personalitet.
Aty ku vihet zjarr, do të ndalet leje ndërtimi për 30 vjet. Nëse një territor hap oreks për të ndërtuar, digjet, aty për 30 vite s’do të jepet leja e ndërtimit. Që ta kenë të qartë të gjithë, se djegia nuk të sjell këto favorizime. 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do të rimbillet. “, pohoi Rama.