“Pacientët 6 muaj pa kimio”- Raporti i KLSH: Mjekët e luftojnë kancerin me protokolle të 2014-s

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për barnat Onkologjike në QSUT, ka zbuluar fakte tronditëse për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale në Spitalin Onkologjik. Sipas auditimit, shumë pacientë kanë mbetur pa kimioterapi për periudha deri në 6 muaj, për shkak të mungesës së barnave dhe dështimit të sistemit të furnizimit.

Në disa raste, thuhet ne raportin me rreth 200 faqe, pacientët kanë qëndruar me muaj pa marrë asnjë dozë kimioterapie, ndërsa qindra të tjerë kanë marrë trajtimin me ndërprerje, jashtë çdo protokolli mjekësor. “Mungesat kanë qenë të përsëritura, dhe në disa kontrata furnizimi, periudha pa ilaçe ka zgjatur deri në 6 muaj”, shkruhet ne dokumentin e KLSH. Gjatë verifikimeve në Farmacinë Qendrore ne QSUT, janë gjetur gjithashtu periudha të gjata ku stoku i barnave ka qenë zero, si në magazinën qendrore të spitalit, ashtu edhe në farmacinë që furnizon direkt pavionet e onkologjisë.

“U evidentuan raste kur gjendja ka qenë 0 për periudha më të gjata se 1 javë, duke riskuar trajtimin e pacientëve,” – thotë raporti.

Kontrolli i Lartë i Shtetit shkon edhe më tej, duke theksuar se pjesa më e madhe e protokolleve mjekësore që përdoren sot në Onkologjik janë të vjetra më shumë se një dekadë.

“Një pjesë e konsiderueshme e protokolleve të praktikës klinike në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ datojnë prej vitit 2014, me mungesë përditësimesh sistematike gjatë kësaj periudhe,” – citon KLSH.

Sipas ekspertëve të auditimit, përdorimi i udhëzimeve të vjetra ul cilësinë e trajtimit dhe mund të çojë në përdorimin e terapive të tejkaluara, të cilat nuk janë më në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të krijojë një grup pune për përditësimin urgjent të protokolleve mjekësore dhe për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna, duke theksuar se mungesat e përsëritura “kanë vënë në rrezik jetën e pacientëve”./BW