U gjet i vrarë në breg të lumit Mat, Tusha u dhunua, më pas u qëllua

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Pllanë të Lezhës, ku u gjet i pajetë pranë lumit Mat 65-vjeçari Gjergj Tusha. Trupi i tij u dërgua menjëherë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekspertizë, ndërsa të dhënat paraprake flasin për shenja dhune në disa pjesë të trupit, çka shton dyshimet se fillimisht është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.

Gjergj Tusha ishte me origjinë nga Bushkashi i Matit dhe prej vitesh banonte në Pllanë të Lezhës. Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa autoritetet janë vënë në ndjekje të autorit apo autorëve të mundshëm të krimit. Burime nga policia bëjnë me dije se pista kryesore që po hetohet lidhet me konfliktet familjare.

Mësohet se viktima ishte pajisur tre herë me urdhër mbrojtjeje për shkak të përplasjeve të vazhdueshme me të birin, çka ka shtyrë hetuesit të mos përjashtojnë mundësinë e një krimi brenda familjes. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.