Pas atentatit me lëndë plasëse, ku gjeti vdekjen 58-vjeçari Isuf Jaçaj, banorët e lagjes numër 3 të Sarandës rrëfejnë tmerrin e përjetuar nga shpërthimi i fuqishëm.
Teksa shprehin keqardhje për ngjarjen e rëndë, dy të moshuara thonë se siguria e jetes në Sarandë po bëhet gjithnjë e vështirë, për shkak të ngjarjeve të shumta kriminale.
“Ishte një shpërthim i frikshëm. I njoh, janë njerëz të mirë po fëmijët të bëjnë atë që s’ta pret mëndja, të keqen nëna. Jam emigrante kam shumë vjet që kam ikur, kam harruar dhe veten t’u bëfsha kurban. Dëgjoni, të keqen nëna, ruani kokën se është vend i egër këtu.
Unë rri në lagjen Kodër. Shpërthimin e dëgjova dhe mendova se ishte tërmet. Kalova mbrëmë andej dhe nuk njihej se çfarë ishte, aq shumë dëm dhe tmerr kishte.
Çfarë i bëri ai djalë babait të tij. Nëse ka bërë dëm djali t’i paguajë djali, po babai çfaj kishte? Ruani kokën se është vend i egër këtu”, tha njëra prej grave.
-Jo, moj jo nuk është vend i egër këtu. Janë njerëzit të egër, tha tjetra.
Nga shpërthimi u shkaktuan dëme të shumta materiale në banesat dhe bizneset përreth, ndërsa policia ka shoqëruar deri tani mbi 10 persona, ndër ta edhe banorë të lagjes numër 3 .
Dyshohet se shpërthimi i telekomanduar u krye nga dy persona, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.