Mister në Tiranë me një makinë të djegur plotësisht, pasi policia gjeti brenda saj 2 automatikë Kallashnikov dhe një krehër me fishekë.
Zbulimi i makinës së djegur është bërë dje, por sot policia doli ke informacione të reja mbi ngjarjen.
Ajo tha se në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë, u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër, brenda një automjeti tip “Peugeot”, të djegur plotësisht.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur me datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, ku në murin rrethues të banesës së shtetasit Q. K. (i cili banon jashtë shtetit) janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i armës së zjarrit.
Ngjarja e ndodhur është konstatuar ditën e djeshme pas hetimeve dhe verifikimeve intensive të kryera nga grupi hetimor.
Policia tha se po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.