Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme (4 tetor) banesën e shtetasit Gëzim Bono, në fshatin Pilur të bashkisë Devoll.
Flakët shpërthyen papritur dhe u përhapën me shpejtësi në pjesën më të madhe të godinës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat arritën të izolonin flakët dhe të shmangnin përhapjen e zjarrit në banesat përreth.
Dyshimet paraprake flasin për një shkëndijë elektrike si shkaktare të zjarrit, ndërsa Sektori i Emergjencave Civile në Bashkinë Devoll pritet të kryejë vlerësimin e plotë të dëmeve gjatë ditëve në vijim.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit.