Ish-presidenti Ilir Meta ka ankimuar masën e sigurisë “arrest në burg” në Gjykatën e Apelit të Posaçëm Antikorrupsion. Ankesa është dorëzuar nga avokati i tij në sekretarinë e shkallës së parë, ndërsa pritet që brenda pak ditësh të caktohet data për shqyrtimin.
Ndërkohë, më 8 tetor, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë një tjetër kërkesë të Metës për të rrëzuar vendimet e GJKKO dhe Apelit të GJKKO, të cilat kanë lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij. Meta ndodhet në këtë masë sigurie që nga tetori i vitit të kaluar, si pjesë e hetimeve që po zhvillohen ndaj tij nga SPAK për çështje korrupsioni dhe pasurimi të paligjshëm.