I ftuar në një emision televiziv, gazetari Lorenc Vangjeli u shpreh se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja është një akt që trondit jo vetëm sistemin e drejtësisë, por vetë themelet e shtetit.
Sipas Vangjelit, ngjarja nuk është një episod i izoluar, por pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi të deformuar, ku drejtësia është kthyer në peng të interesave politike dhe mungesës totale të funksionimit institucional.
Ai theksoi se armën që vrau gjyqtarin e kanë shkrepur shumë duar jo vetëm autori, por edhe ata që për vite me radhë kanë goditur gjykatat, i kanë politizuar, dhe i kanë braktisur qytetarët përballë padrejtësisë.
Pjesë nga deklarata:
Atëherë, ka dy momente që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, sepse janë anë të ndryshme të të njëjtës medalje. Akti është një akt terrorist. Vrasja e një gjyqtari në detyrë, dhe aq më tepër në një moment dhënie vendimi, është shkallmimi i gjithçkaje një gjyqtar që duhet të ishte simboli i së drejtës, të pëlqen apo jo vendimi i tij.
Duke thënë vetëm këtë, kemi bërë fotografinë e situatës. Skaneri i saj shkon më thellë dhe unë guxoj të them se atë armë e kanë shkrepur shumë duar aktorë e faktorë madje në një kuptim ishte dhe vetëvrasje. Që do të thotë: duke filluar nga përplasjet e pushtetit politik kur them pushtet politik kam parasysh si PS, ashtu edhe PD të cilat mendojnë se kanë epërsi mbi gjykatat. Duke filluar me keqkuptimin e pafund që ka ekzekutivi, Rama që është gjykatës mbi gjykatës.
Ndërkohë, edhe në çështjet ku shteti është përballë individit, ai është thjesht palë dhe e vetmja gjë që mund të bëjë, kur nuk i pëlqen një vendim që duket i padrejtë dhe i palogjikshëm, është të bëjë një ankim një shkallë më lart.
KLGJ dhe KLP reagojnë ndaj Ramës dhe reagojnë sikur nuk e marrin seriozisht atë; kur dëgjojnë Berishën, thonë është normalitet. Reagojnë me një gjuhë pafuqie, me një gjuhë që herë pas here duket sikur thonë: “Mos na e merr për ters që duhet të reagojmë”, se kush e di çfarë thonë, si për KLGJ, ashtu edhe për KLP, që ngjajnë si zgjatime të një pushteti tjetër.
Pse vetëvrasje? Nuk e kam thjesht për individin. Në një proces pronash, gjithmonë pala që humb është e bindur se janë bërë manipulime dhe se gjyqtari është i blerë. Por, sa më shumë të vonohet qoftë edhe e drejta aq më tepër ajo nuk është më drejtësi.
Stoku i dosjeve është i frikshëm dhe pasqyron frustrimin e shoqërisë, e cila, nga çdo anë që kthen kokën, nuk gjen drejtësi, nuk sheh garanci në karrierë. Ndërton sot dhe sheh që 10 komshinjtë e tu kanë ndërtuar si ty. E gjithë kjo është pjesë e një kaosi që, nëse vendos gishtin tek drejtësia, duket se aty çalon më shumë se kudo.