Pas 23 ditësh grevë urie, shqiptari Pano Ruçi vendosi të ndalë protestën e tij pasi të gjitha kërkesat e tij u morën parasysh. Ai kishte kërkuar zhvarrosjen e djalit të tij, Denis Ruci, i cili humbi jetën në tragjedinë hekurudhore të Tempes, si dhe kryerjen e ekzaminimeve të specializuara.
Në një deklaratë të dhënë gjatë ditës së sotme, Ruci theksoi rëndësinë e transparencës së plotë në procesin e ekzaminimeve toksikologjike dhe të tjera, për të cilat tashmë është dhënë drita jeshile për zhvillimin e tyre.
Ai rrëfeu se 23 ditët e grevës i ka përjetuar me shumë dhimbje dhe lodhje, por falë durimit dhe mbështetjes së njerëzve ka gjetur forcën për të qëndruar dhe shpresuar.
“Do të jem këtu derisa të marr përgjigje për të gjitha kërkesat e mia,” tha Ruci, duke shtuar se do të vazhdojë luftën derisa qeveria të konfirmojë pranimin e tyre.
Avokatja e Pano Ruçit, Zoi Konstantopulu, deklaroi mbrëmjen e së martës nga Sheshi Sintagma se:
“Sot drita mposhti errësirën. Me forcën e shpirtit të tij dhe të gjithë shoqërisë, Pano sfidon mekanizmat më të ashpër dhe të pamëshirshëm. Fshehja dhe skemat për të mbuluar të vërtetën nuk triumfuan. Rikthimi në qarkullim i dosjes me 3,000 faqe që dokumenton neglizhencat e institucioneve është dëshmi se lufta dhe këmbëngulja e tij nuk ishin të kota.”