Për përballimin e reduktimit apo mungesës së naftës në kohë të vështira, qeveria ka rihedhur sërish idenë e ngritjes së një rezerve shtetërore për furnizimin e popullatës në këto raste.
Projektligji i nxjerrë për konsultim publik “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave te sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj” parashikon një rezerve sa për 90 ditë konsum në rast nevojash, i cili pritet ti kushtojë buxhetit të shtetit minimalisht 520 mln euro nëse i ndërton depozitat ose rreth 300 mln euro me qira.
“Shuma e përgjithshme e rezervave të sigurisë qe duhen te mbahen në Republikën e Shqipërisë ka si target te paktën 90 ditë e sasive te importeve mesatare ditore neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të sasisë te konsumit të brendshëm, cilado nga dy sasitë është më e madhe. Rezervat e sigurisë për të arritur targetin do krijohen gradualisht dhe në mënyrë proporcionale në baze të Planit të Veprimit, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave”.
Konkretisht për një rezervë 90 ditë që do i shërbejë popullatës në rast krizash, duhen minimalisht sipas ekspertëve të tregut 270-300 mijë ton karburantë, të cilat me vlerën e tregut aktual kushton 300 mln $ ose thënë ndryshe 260 mln euro.
Por kjo është vetëm kostoja e produktit. Për ruajtjen e tij ka një sërë kostosh të tjera që nga marrja me qira e depozitave të cilat sipas ekspertëve nuk ka në dispozicion për kapacitete të tilla, por nëse do të kishte kanë një vlerë prej 10 euro/ton në muaj ose për një kapacitet 300 mijë ton arrin në 3 milionë euro në muaj ose 36 milionë euro në vit.
Nëse kjo faturë do të përllogaritej me këto shpenzime pa përfshirë edhe kostot për paga, punonjësit apo energjinë elektrike do të arrinte deri në 300 mln euro.
Nëse qeveria do të krijojë vet depozitat do ti kushtojnë rreth 300 mln $ ose 260 mln euro. Të cilat në total e çojnë faturën në 520 mln euro pa përfshirë kostot e tjera të mirëmbajtjes apo edhe të punonjësve.
Për të paguar një faturë kaq të shtrenjtë projektligji parashikon disa burime financimi si kredi apo buxheti i shtetit si edhe një tjetër tarifë që do ti shtohet xhepave të qytetarëve.
“Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që i nënshtrohet detyrimit për pagimin e taksës se Akcizës”.
Kjo do të bëj që përveçse rreth 6 taksave dhe tarifave vendore që qytetarët paguajnë për karburantet si akciza, taksa e qarkullimit, karbonit, skanimit etj të shtohet edhe kjo tarifë që ende nuk dihet sesa do të jetë por do të përcaktohet pas miratimit të ligjit me vendim të Këshillit të Ministrave.