Gjykata ka lënë në masën e sigurisë tre personat e arrestuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Deri në përfundim të hetimeve autori Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja i sigurisë Banush Koxhaj do të qëndrojnë në qeli.
Në dëshminë e tij, Koxhaj ka deklaruar se nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore, duke theksuar se i ka kërkuar leje kancelares.
“Kam qenë i sëmurë, para se të kalonin palët në skaner, unë kam lajmëruar dhe kancelaren se nuk ndihem mirë, pasi vuaj nga diabeti. Një orë me pas kancelarja më ka dhënë leje për tu larguar por nuk jam zëvendësuar” ka thënë ai para togave të zeza.
Seanca ndaj tyre u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie dhe me dyer te mbyllura. Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, krim i ndodhur mesditën e 6 tetorit.
Gjithashtu në ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën, 30-vjeçari plagosi me armë zjarri në Gjykatë edhe babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, palë në proces.
Elvis Shkambi përballet me tre akuza të rënda, Vrasje e funksionarëve publikë, Vrasje në rrethana cilësuese kundër palëve të përfshira në proces, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.
Në lidhje me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, organi i akuzës dyshon se kishte dijeni për planin e nipit të tij për të sulmuar palën kundërshtare në çështjen gjyqësore.
Prokuroria ngriti dyshime se Gjon Shkambi ka pasur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, me të cilët është në konflikt për një pronë në Shkodër.