Autoritetet spanjolle kanë ekstraduar drejt Shqipërisë shtetasin Juxhin Drazhi, 34 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga GJKKO, për përfshirje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe Belgjikë.
“Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se shtetasi J. D. ka qenë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe në Belgjikë”, njofton policia.
Ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit mes Interpolit në Tiranë dhe atij në Madrid.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.