Policia ka ndërmarrë një operacion pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku sipas burimeve janë shoqëruar mbi 10 persona të dyshuar për lidhje me botën e krimit, dhe janë sekuestruar disa armë zjarri.
Operacioni është zhvilluar në një prej lokaleve të njohura në aksin rrugor Elbasan-ish-Metalurgjik, në fshatin Katund i Ri.
Një prej personave që është shoqëruar nga policia është dhe biznesmeni Bujar Muça, i cili është pronari i kompanisë “Delta Group”.
Muça është një emër i njohur për publikun, pasi në vitin 2017 ka kandiduar për deputet nën logon e PDIU-së në zgjedhjet e përgjithshme ku fitoi mandatin, për dha dorëheqjen disa muaj pas zgjedhjeve për arsye personale.
Deri më tani autoritetet nuk kanë dhënë detaje rreth personave të shoqëruar apo akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Ky aksion i sotëm konsiderohet i rëndësishëm, pasi raportohet se janë shoqëruar persona me rrezikshmëri të lartë.
Elbasani njihet si një prej qyteteve me prezencë kriminale në vendin tonë, pasi atje kanë bazat disa grupe kriminale.