Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka hedhur një tjetër hije dyshimi mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se disa prej dosjeve më të bujshme të SPAK janë bllokuar që përpara zgjedhjeve dhe nuk po firmosen qëllimisht.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, ai ngriti pikëpyetje serioze mbi mungesën e arrestimeve dhe zvarritjen e vendimeve për çështje me ndikim të lartë politik.
“E keni vënë re se nuk ka arrestime që përpara zgjedhjeve? Si kuptohet kjo? Këto dosje të bujshme janë aty. Duhet t’i firmosë dikush. Pse nuk i firmosin? Po bëhet amnisti? Po trajtohen si plaçkë lufte. Janë dosje që lidhen me politikanë të lartë dhe tani lind pyetja: i lihet përgjegjësia drejtuesit të ri apo i lihet prokurorit që të mos ngatërrohet? Këto dosje janë shtyrë që para zgjedhjeve. Pse nuk firmosen? Janë çështje shumë të bujshme që nuk deshën të krijojnë bujë para zgjedhjeve”, deklaroi Karamuço.
Sipas tij, vendimmarrja në SPAK po ndikohet nga kalkulimet politike dhe ekuilibrat institucionalë, duke i kthyer çështjet penale në monedhë negociate dhe presioni.