Presidenti amerikan Donald Trump bëri një deklaratë të papritur dhe të pazakontë gjatë një fjalimi të hënën në Knesset, duke i kërkuar publikisht Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, që të falë Kryeministrin Benjamin Netanyahu për çështjet e tij të vazhdueshme ligjore.
“Pse nuk i jepni falje?”, tha Trump, duke iu drejtuar Herzogut në mes të fjalimit. Kjo deklaratë përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në çështjet e brendshme të Izraelit, duke u bërë një prej komenteve më të hapura nga një ish-udhëheqës i huaj në lidhje me proceset gjyqësore që po përballon Netanyahu.
Trump pranoi se komentet nuk ishin pjesë e fjalimit të përgatitur, por theksoi se nuk mund të rrinte pa e mbështetur aleatin e tij të ngushtë.
“Më pëlqen ky zotëri këtu, dhe duket se ka shumë kuptim. Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ky ka qenë një nga presidentët më të mëdhenj të kohës së luftës,” u shpreh Trump.
Duke iu referuar akuzave ndaj Netanyahut për pranimin e dhuratave luksoze, ai shtoi: “Puro dhe shampanjë, kujt i intereson?”
Netanyahu po përballet aktualisht me disa akuza për korrupsion, përfshirë pranimin e dhuratave të shtrenjta nga biznesmenë ndërkombëtarë dhe përpjekje për të ndikuar në media. Deklarata e Trump vjen në një kohë të ndjeshme për kryeministrin izraelit, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon të tërheqë vëmendje brenda dhe jashtë vendit.