Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka zbuluar detaje interesante pas fitores historike të Shqipërisë ndaj Serbisë (0–1) në Leskovac.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Duka tregoi se festimet e zjarrta të lojtarëve në dhomat e zhveshjes kanë shkaktuar dëme materiale, për të cilat autoritetet serbe kanë dërguar faturën e dëmshpërblimit.
“Po, ata të stadiumit na kanë çuar një letër me të gjitha dëmet që kemi bërë, është edhe ajo e tavanit,” – u shpreh Duka me humor, duke konfirmuar lajmin.
“Na i kanë evidentuar dhe padyshim që jemi të gatshëm që t’i ç’dëmtojmë,” – shtoi ai.
Sipas presidentit të FSHF-së, emocionet pas triumfit ishin aq të forta sa askush nuk i përmbajti dot.
Ai tregoi edhe një moment të veçantë me trajnerin Sylvinho, i cili ishte i mbushur me emocione pas ndeshjes:
“Në fakt, nuk arrita t’i them asgjë. Sylvinho ishte shumë i emocionuar, u mundova ta qetësoj, ta përqafoj e ta përgëzoj, por ai ishte i prekur shumë nga ajo fitore.”
Fitorja e Shqipërisë në tokën serbe mbetet një nga momentet më të paharrueshme në historinë e futbollit shqiptar — një mbrëmje që solli lavdi, lot gëzimi dhe… një faturë për t’u paguar!