Stuhi dhe përmbytje, meteorologia Tanja Porja paralajmëron: Ja çfarë pritet të ndodhë

Një stuhi e fortë mesdhetare, që tashmë ka shkaktuar dëme dhe viktima në Spanjë, po lëviz drejt lindjes duke prekur Sardenjën, Italinë e jugut dhe më pas edhe një pjesë të Ballkanit.

Shqipëria ndodhet në periferi të sistemit ciklonar, por pritet të përjetojë reshje të dendura në zonat jugore të vendit gjatë ditëve të enjte dhe të premte.

Meteorologia Lajda Porja theksoi se situata nuk do të jetë aq ekstreme sa ajo në brigjet spanjolle, por reshjet do të jenë me intensitet të lartë, veçanërisht në Gjirokastër, Sarandë, Vlorë dhe deri në zonat juglindore si Korça dhe Maliqi, ku terrenet e ulëta mund të rrezikohen nga përmbytjet e shpejta.

LEXO  Ndalohet përkohësisht tregtimi i bagëtive të imta

“Pritet që në dy ditë, e enjte dhe e premte, të bien deri në 100-120 mm shi në jug, që është një sasi e konsiderueshme për këto zona,” tha Porja, duke shtuar se stuhia do të dobësohet gradualisht gjatë fundjavës.

Të shtunën pritet përmirësim i ndjeshëm i motit në të gjithë territorin shqiptar, ndërsa e diela mund të sjellë sërish reshje të lehta dhe të shpërndara.

Sa i përket temperaturave, ato do të bien ndjeshëm të enjten dhe të premten për shkak të reshjeve dhe mbulimit me re, por do të rikthehen në normalitet gjatë fundjavës. Maksimumet do të luhaten rreth 24-25 gradë Celsius.

LEXO  “Ndotësi paguan”- BIRN: Ligji i ri për mbetjet sjell kosto shtesë për qytetarët

Meteorologia nënvizoi se reshjet do të prekin edhe pjesën qendrore të vendit, përfshirë Tiranën, Elbasanin dhe Fierin, megjithëse me intensitet më të ulët. “Asnjë zonë nuk është plotësisht imune kur kemi rrebeshe të forta në kohë të shkurtër,” shtoi ajo.

Në rajon, pritet që Greqia të jetë epiqendra e stuhisë, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të kenë reshje mesatare dhe kalimtare. Kosova mbetet më e mbrojtur, me rrebeshe të izoluara.

Porja shtoi se fundi i tetorit do të karakterizohet nga valë të tjera reshjesh të shkurtra, ndërsa dimri pritet të vonojë. “Këtë vit, dimri nuk do të fillojë para dhjetorit dhe as dhjetori nuk do të jetë tipik dimëror,” theksoi ajo, duke shtuar se temperatura ekstreme apo periudha të gjata ngricash nuk priten këtë vit.

LEXO  Kreu vrasjen makabre ndaj bashkëshortes së tij/ Prangoset 40-vjeçari shqiptar, në një parking në qendër të Volosit

Sipas sinjaleve të para klimatike, stinët po zhvendosen me disa javë, me vjeshta më të ngrohta dhe dimra më të butë. Për momentin, Shqipëria duhet të përgatitet për një fundjave me reshje të dendura, por pa rrezik ekstrem.

Lajme Te nGjashme