Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço tregoi për herë të parë detajet e një marrëveshjeje e cila ka mundësuar që shumë personazhe të krimit të ekstradohen nga Dubai drejt Shqipërisë, edhe pse Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë konsideruar si vend i sigurt për këta elementë.
Karamuço foli për një takim sekret në Athinë mes shefit të policisë së Dubait dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sipas tij, presidenti i policisë – siç quhet atje – ka marrë përsipër që të sjellë në Shqipëri shqiptarët e shpallur në kërkim ndërkombëtar që ndodhen në Dubai.
Karamuço tregoi edhe kushtin e vetëm që ka vendosur ai, ndërsa është shprehur se këtë gjë do ta bënte për Shqipërinë.
“Sa i përket ekstradimeve, SPAK-u i ka nxjerrë në kërkim ndërkombëtar dhe kaq. Mbase nuk më lejohet ta them, por është bërë një takim sekret kokë më kokë në Athinë mes drejtuesit të Interpolit, ai që është shefi i policisë në Dubai, presidenti dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Proda. Në atë takim është kërkuar si një nder dhe favor për Shqipërinë, që të gjithë personat që janë në kërkim nga SPAK dhe që jetojnë në Dubai, të kthehen mbrapsht. Ky president e ka marrë përsipër dhe ka thënë ‘do ta bëj për Shqipërinë’. Ka thënë ‘po por me një kusht: ‘Mos më thoni kë të sjell të parin e kë të sjell të fundit, do t’i sjell sipas një rendi që e di unë dhe policia ime’, dhe kështu ka filluar”, tha Karamuço në Euronews Albania, në “NOW me Erla Mëhillin”.
Karamuço sqaroi se nuk bëhet fjalë për ekstradim në kuptimin klasik, sipas procedurave që njihen, por për një formë të re ekstradimi që mbështetet te kushtetuta e vitit 1956 e Interpolit, ku ndihma e ndërsjellë mes policive mbikqyret nga Interpoli dhe merr trajtën e një ekstradimi.