Aldo (Elidon) Avdylaj, nipi i Astrit Avdylajt, është arrestuar nga policia në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Avdylaj ishte shpallur në kërkim si organizator i atentatit ndaj Edmir Bregut, një ngjarje që, sipas hetimeve të SPAK, dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje dhe që lidhet drejtpërdrejt me grupin kriminal të Avdylajve.
Sipas burimeve të hetimit, Avdylaj rezulton i përfshirë në përgjime ku dëgjohet të thotë: “Unë vras 10 vetë, nëse thua ti”, një frazë që hedh dritë mbi strukturën hierarkike dhe mënyrën e funksionimit të grupit.
Gazetarja Lala raporton se atentati ka qenë një veprim hakmarrës, pas një përplasjeje të fortë mes grupeve kriminale rivale. Aldo Avdylaj më herët ishte vetë një objekt për eliminim, dhe sipas dyshimeve të hetuesve, pas këtij plan qëndronte pikërisht Edmir Bregu.
Në këtë kontekst, Astrit Avdylaj, një figurë e njohur e botës së krimit dhe i përfolur në të kaluarën për lidhje me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, dyshohet se ka dhënë urdhrin për ekzekutimin e Bregut.
Në zbardhjen e kësaj skeme kriminale, roli i Enea Kumes ka qenë kyç. Ai dyshohet se ka vepruar si informator i grupit, duke dhënë detaje mbi lëvizjet e Bregut dhe duke ndihmuar në përgatitjen e atentatit. Për këtë arsye, Kume është arrestuar nën akuzën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal me qëllim eliminimin fizik të kundërshtarëve.
Ndërkohë, për ekzekutimin e Bregut, autoritetet dyshojnë se rolin e vrasësit e ka marrë përsipër Alfred Doka, i cili besohet të ketë vepruar kundrejt një pagese.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK dhe strukturat e posaçme të policisë janë duke thelluar analizën mbi veprimtarinë e grupit Avdylaj dhe lidhjet e tij në atentate të tjera të mundshme.