Fitorja e madhe e Shqipërisë ndaj Serbisë ka hapur rrugën drejt një objektivi historik. Kombëtarja kuqezi është tashmë shumë pranë sigurimit të vendit të dytë në grup, një pozicion që praktikisht e çon në fazën “Play Off” për kualifikimin në Kampionatin Botëror.
Llogaritë janë të qarta: mjafton që Shqipëria të mposhtë Andorrën dhe Serbia të mos fitojë në transfertën ndaj Anglisë, që kuqezinjtë të mbyllin matematikisht çështjen e vendit të dytë.
Nëse Serbia arrin fitoren në tokën angleze, atëherë Shqipërisë do t’i duhet të marrë të paktën një pikë ndaj Anglisë për të ruajtur pozicionin.
Por çfarë ndodh më pas?
Vendi i dytë nuk mjafton për kualifikim të drejtpërdrejtë, Shqipëria kalon në fazën “Play Off”, ku 12 kombëtare do të ndahen në tre mini-turne, dhe vetëm fituesit e secilit turne do të sigurojnë biletën për Botërorin.
Sipas një faqeje ndërkombëtare të specializuar në statistika sportive, ndarja e vazove për momentin parashikohet kështu:
Vazo e parë: Italia, Turqia, Ukraina, Polonia
Vazo e dytë: Uellsi, Skocia, Hungaria, Republika Çeke
Vazo e tretë: Sllovakia, Rumania, Shqipëria, Kosova
Vazo e katërt: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda, Moldavia (nga Liga e Kombeve)
Sipas rregullores, në gjysmëfinalet e “Play Off”-it, ekipet e Vazos së Tretë përballen me ato të Vazos së Dytë. Kjo do të thotë se Shqipëria mund të ndeshet me një nga katër kundërshtarët e mëposhtëm: Uellsin, Skocinë, Hungarinë ose Republikën Çeke.
Takimet do të zhvillohen me sistem eliminimi direkt (vetëm një ndeshje) dhe për shkak të renditjes më të ulët në koeficientët e FIFA-s, kuqezinjtë do të luajnë në transfertë. Në rast kualifikimi për në finale, stadiumi do të përcaktohet me short dhe me pak fat, mund të jetë edhe “Air Albania”.
Në finale, Shqipëria mund të përballet me një nga fituesit e çifteve ku Vazo e Parë ndeshet me Vazon e Katërt, që do të thotë se rivalët e mundshëm për biletën e Botërorit mund të jenë Italia, Turqia, Ukraina ose Polonia.
Rruga drejt Botërorit mbetet e vështirë, por Kombëtarja shqiptare është më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës së madhe kuqezi.