Ai e tërhoqi në ballkon duke mbajtur një thikë në dorë, teksa oficerët e policisë ndodheshin jashtë banesës së 29-vjeçares Pamela Genini, dhe më pas e masakroi me thikë.
Fqinjët ishin dëshmitarë të goditjeve me thikë të modeles dhe sipërmarrëses së re, nga i dashuri i saj biznesmen Gianluca Soncin.
“Do ta vrasë, do ta vrasë!”, bërtisnin ata. Oficerët e policisë hynë brenda apartamentit në katin e tretë në lagjen Gorla, periferi të Milanos, por ishte tepër vonë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 22:00, ndërsa efektivët gjetën të pajetë në ballkon Pamela Geninin, ndërsa i dashuri i saj 52-vjeçar qëndronte ende me thikë në dorë dhe goditi dy herë veten në fyt, në sy të tyre, në tentativë për t’i dhënë fund jetës.
Telefonata me ish-in
“E dija që ajo donte ta hiqte qafe. Donte ta linte”, i tha ish-partneri i viktimës ekipit të policisë që shkoi në vendngjarje.
Raportohet se 29-vjeçarja, e cila ka kuptuar rrezikun ku ndodhej, ka telefonuan ish të dashurin e saj pak para sulmit fatal duke i kërkuar ndihmë.
Ky i fundit ka telefonuar policinë dhe ka shkuar drejt banesës së saj në Via Iglesias, por ishte tepër vonë.
Britmat e modeles Pamela Genini tërhoqën vëmendjen e fqinjëve rreth orës 21:40 të mbrëmjes të së martës.
“Dëgjuam britmat e saj, ishin shumë të forta. Ajo po bërtiste ‘ndihmë, ndihmë’”, tha një banor.
Një tjetër pa teksa ajo u vra në ballkonin e katit të tretë, ku 52-vjeçari e goditi 24 herë me thikë.
Përpjekja e dëshpëruar për të shpëtuar veten
Kur policia i ra interfonit, Pamela ishte ende gjallë. ajo iu përgjigj duke thënë: “Glovo?”, duke u shtirur sikur ishte një dërgesë, por nuk pati kohë t’ua hapte derën oficerëve, të cilëve iu desh ta thyenin për të hyrë brenda.
Ndarja dhe vrasja
Viktima dhe autori raportohet se kishin qenë në një lidhje për rreth 1 vit, por 29-vjeçarja kishte vendosur të ndahej.
Të martën në mbrëmje, 52-vjeçari, i cili la makinën e tij Audi në rrugë, u shfaq në Via Iglesias për të bindur viktimën të vazhdonte lidhjen.
Ai mbërriti në banesën e saj me thikë dhe hyri brenda pasi kishte marrë një kopje të çelësave të apartamentit.
Soncin raportohet se e kishte kërcënuar vazhdimisht se do ta vriste ish-partneren e tij. Dhe mbrëmjen e djeshme e goditi disa herë me thikë në qafë, shpinë, gjoks, gjymtyrë të sipërme dhe duar, duke i shkaktuar 24 plagë.