Partia Mundësia, fillimisht me kryetarin e saj, Agron Shehaj në fillim të vitit dhe ditën e djeshme nëpërmjet deputetit Erald Kapri është partia e vetme që ka dalë në mbrojtje të mijëra e mijëra kreditorëve që kanë rënë pre e skemave mashtruese të mikrokredive, që kanë sjellë një dëm kolosal në xhepat e shqiptarëve, dhe një vetëvrasje në shenjë proteste në dyer e SPAK-ut të Pal Trashit, mashtruar prej këtyre skemave.
Ditën e djeshme, në komisionin parlamentar kur Altin Dumani raportonte përballë deputetëve, Erald Kapri i ka kërkuar kryeprokurorit të shprehet me hetimet për këtë skemë mashtruese.
“Janë duke u verifikuar zyrtarë të tjerë të përfshirë”, tha Dumani, ndërkohë që theksoi se procesi për krijuesit e tyre tashmë ka shkuar në gjykatë.
“Çështja e mikro-kredive hetimet për krijuesit kanë përfunduar dhe është dërguar për gjykim. Janë dërguar për gjykim 16 shtetas dhe 4 persona juridik, ndërsa janë sekuestruar 420 milionë lekë dhe 1.3 milionë euro, si dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Po verifikohet pozita e secilit person të përfshirë”, tha kryeprokurori Altin Dumani.
Erald Kapri kërkoi të dinte nëse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ishte thirrur në prokurori për të dhënë sqarime për këtë çështje, por kryeprokurori nuk dha detaje.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, vetë Guvernatori në Parlament, ndërsa raportonte për aktivitetin e Bankës, për herë të parë deklaroi se ishte cënuar pavarësia e Bankës së Shqipërisë, një deklaratë, që ngjalli debate dhe reagime të shumta në rrethin e profesionistëve të fushës.