Dy 22-vjeçarët që u arrestuan nga policia lidhur me krimin e dyfishtë brenda kampingut në Finikounda ku u vranë pronari grek dhe miku i tij shqiptar, kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me atë çfarë ka ndodhur mbrëmjen e 5 Tetorit.
Sipas burimeve për Protothema.gr, dy të rinjtë kanë komplikuar më tej çështjen me dëshmitë e dhëna, ku fajësojnë njëri-tjetrin si autorë të krimit.
22-vjeçari që u vetëdorëzua ditën e djeshme i shoqëruar nga avokati dhe u arrestua si bashkëpunëtor, pretendon se ka qenë shoku i tij që kreu vrasjen e dyfishtë.
Ai pretendoi se mbërritën në vendngjarje me motor, por vetë qëndroi jashtë kampingut, ndërsa 22-vjeçari tjetër hyri brenda duke qëlluar pronarin grek dhe shqiptarin.
Pas dëshmisë së tij, policia vendosi në pranga edhe 22-vjeçarin tjetër si autor të krimit. Por, ky i fundit ka deklaruar para hetuesve se nuk ishte ai që qëlloi, duke ia hedhur fjalin të arrestuarit si bashkëpunëtor.
Edhe pse nipi i viktimës e identifikoi si autor të krimit, 22-vjeçari dyshohet se i tha policisë se nuk kishte arsye të vriste askënd pasi nuk njihte asnjë nga viktimat.
“Shkova atje për paratë, nuk kisha arsye të vrisja askënd, personi tjetër hyri brenda dhe qëlloi”, pohoi ai.
Misteri i personit të tretë
Në të njëjtën kohë, hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar nëse persona të tjerë janë të përfshirë në këtë rast.
Nga hetimet ka rezultuar se një person tjetër është përfshirë në skenë, i cili vetëm pak minuta para krimit, ka pasur një bisedë telefonike me njërin nga dy 22-vjeçarët dhe më pas me një telefon celular që ndodhej brenda kampingut.
Këto telefonata u identifikuan nga analiza e antenave të telefonisë celulare përreth kampingut dhe përbëjnë një element që përforcon skenarin që efektivët kanë shqyrtuar që nga fillimi.
Domethënë, ekziston një person nga mjedisi i ngushtë i pronarit 68-vjeçar të kampingut i cili është i lidhur me vrasjen e dyfishtë si organizatori.