Sulm me dy bomba ndaj gazetarit italian, u përdor 1 kg eksploziv; anti-mafia merr në dorë hetimet

Rreth 1 kg eksploziv është përdorur në atentatin me bombë ndaj gazetarit investigativ italian dhe prezantuesit të Report, Sigfrido Ranuçi. Si pasojë e shpërthimit, automjeti i gazetarit dhe vajzës së tij u shkatërruan plotësisht.

Mediat italiane shkruan se dy bomba shpërthyen poshtë shtëpisë së tyre në Campo Ascolano, një qytet në Pomezia, në periferi të Romës. Vetë gazetari e raportoi lajmin në mediat sociale me një video të dy automjeteve të shkatërruara.

“Dy bomba”, shkruhej në postim, “shkatërruan makinat e parkuara përpara shtëpisë në Campo Ascolano, pak jashtë Romës. Ato mund të kishin vrarë këdo; vajza ime sapo kishte kaluar aty pranë”.

Fatmirësisht nga shpërthimi askush nuk u lëndua. Vajza e gazetarit kishte ndaluar në shtëpi vetëm gjysmë ore para shpërthimeve.

Gazetari, megjithatë, sapo ishte kthyer në shtëpi kur dëgjoi dy shpërthime me shpejtësi njëra pas tjetrës. Porta e hyrjes në shtëpi ishte gjithashtu e dëmtuar.

Hetuesit e karabinierëve dhe DIGOS mbërritën në vendngjarje dhe filluan hetimet teknike për të përcaktuar natyrën e shpërthimit të dyfishtë. Natyra e pajisjes së përdorur është ende e paqartë.

Prokurorët antimafia të Romës po hetojnë se çfarë ndodhi mbrëmjen e së enjtes.

Prokurori i DDA-së, Carlo Villani, i koordinuar nga zëvendësprokurorja Ilaria Calò, po hetojnë me një akuzë për dëmtim kriminal, të rënduar nga metodat mafioze, në pritje të raporteve fillestare nga oficerët e zbatimit të ligjit që iu shkuan në vendin e ngjarjes.

“Ata mendojnë se ishte një pajisje shpërthyese rudimentare”, shpjegoi Ranuçi për mediat italiane, duke shtuar “mund të kishte vrarë dikë nëse do të kishte kaluar në atë moment”.

“Ende nuk e di si ta interpretoj atë që ndodhi. Ajo që kam bërë është të bashkoj disa gjëra që kanë ndodhur në muajt e fundit. Nuk i kam bërë kurrë publike, pjesërisht për të mbrojtur njerëzit për të cilët kujdesem. Verën e kaluar, një vit më parë, gjetëm plumbat, dy fishekë P38 jashtë shtëpisë sime. Pastaj ka një listë situatash të pazakonta që kanë ndodhur në muajt e fundit, duke filluar me përpjekjen për të më delegjitimuar”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e konsideroi “një akt shumë serioz, frikacak dhe i papranueshëm”.

“Një bombë shpërtheu makinën e Sigfrido Ranuçi-t përpara shtëpisë së tij. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua, por rëndësia ekstreme e këtij akti mbetet, duke prekur jo vetëm një gazetar, por edhe vetë lirinë për t’u informuar dhe për t’u shprehur. Solidaritet i plotë për të dhe familjen e tij”, komentoi ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto.

Next