“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 ndaluan shtetasin S. Ll., 50 vjeç, pasi është konstatuar se në objektin e tij (pallat në ndërtim), në Yzberisht, ka kryer punime ndërtimi pa leje, në hapësirën e përbashkët të pallatit”, njoftoi policia.
IKMT ka bllokuar 4 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi pa leje, ndërsa ka nisur procedura për shembjen e objektit.
Pallati, i ndërtuar nga biznesmeni Sino Llanaj, raportohet se ishte në shkelje flagrante të rregullave të ndërtimit.
Kujtojmë që sipërmarrësi u arrestua më 12 janar 2024 për armëmbajtje pa leje në autostradën Fier-Vlorë.
Gjithashtu, tek pallati i tij te ish-parku 120 familje s’janë futur në banesa prej konfliktit që ka me ortakun Albert Allmuça.
Sherri me ortakun:
Dy pronarët Sino Llanaj dhe Albert Allmuça kishin rënë dakord për ndërtimin e objektit te ish-Parku i autobusëve brenda vitit 2019, por kontrata mes tyre ishte prishur dhe objekti s’ishte ndërtuar, duke sjellë probleme jo vetëm mes dy biznesmenëve, por edhe me banorët, që vijonin të jetonin me qira.
Më 13 Janar 2021, dy pronarët u përfshinë në një sherr fizik dhe verbal, ku nga përdorimi i armës mbeti i plagosur biznesmeni Sino Llanaj, si dhe një kalimtar i rastit, shtetasi Klodian Komino, të cilin një plumb rikoshetë e ka kapur në kofshë.
Gjithashtu, gjatë sherrit, mbeti i plagosur me sende të forta edhe roja i objektit, Shkëlzen Biberi.
Njoftimi i policisë 14 Janar 2021
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Ndre Mjeda”.
Vihen në pranga 5 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi municioni, një armë e ftohtë dhe 5 aparate celular.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, ku u plagosën me armë zjarri 2 shtetas dhe u dëmtua me sende të forta një shtetas tjetër.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
S. Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
Sh. B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
S. M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Ll., së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.