14 deputetë të Partisë Socialiste kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare në drejtim të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për përjashtimin për 30 ditë nga punimet e Kuvendit të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Në dokumentin zyrtar, socialistët argumentojnë se Bardhi ka shkelur në mënyrë të përsëritur rregulloren e Kuvendit, duke ofenduar Kryetarin e Kuvendit dhe duke krijuar kaos gjatë punimeve plenare.
Referuar shkresës, incidenti më i fundit ndodhi gjatë seancës së 16 tetorit, ku po raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda. Sipas deputetëve socialistë, Bardhi ndërhyri disa herë me tone agresive dhe fjalë fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit.
“Veprimet e tij përbëjnë shkelje të rëndë të rregullores dhe etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën ku i bëhet thirrje Sekretariatit të Etikës të mblidhet për të shqyrtuar përjashtimin.
Tensionet mes mazhorancës dhe opozitës u shtuan gjatë debatit për gjenocidin në Kosovë dhe protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në sheshin “Skënderbej”.
Gjatë seancës, kryetari i Kuvendit i kërkoi Bardhit të largohej pas ndërhyrjeve të vazhdueshme. “Përjashtoheni nga seanca, largohuni, lini sallën!”, iu drejtua Peleshi.
Ndërkohë, Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së, paralajmëroi atë ditë kërkesën për një përjashtim 10-ditor, por tashmë socialistët kërkojnë sanksion maksimal prej 30 ditësh.