“Po jepja porosinë kur ndodhi”/Avokati i Metës, dëshmitar në vrasjen te “Komuna e Parisit”: Pas goditjes, kuzhinieri..

Avokati Kujtim Cakrani ka qenë dëshmitarë në vrasjen e ndodhur në një lokal në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Gjatë intervistës së tij për emisionin “Në kohë reale” në RTSH, avokati tha se gjithçka ka ndodhur papritur, ndërsa ai ishte aty për të drekuar.

“Unë isha aty, sepse drekoj zakonisht në atë lokal, që ndodhet poshtë studios sime. I njihja të dy, isha duke dhënë porositë për drekë kur ndodhi ngjarja. Lokali ishte plot me njerëz dhe papritur dëgjuam zhurmë nga kuzhina,” ka treguar Cakrani.

Sipas tij, konflikti nisi mes dy punonjësve të lokalit, ku njëri prej tyre, Filim Shehi, që punonte prej një viti në atë vend, dyshohet se ka goditur kolegun e tij pas një grindjeje të çastit.

“Ata të dy e dinë më mirë si ka nisur sherri. Pas goditjes, kuzhinieri doli nga kuzhina dhe ra te dera e jashtme. Kamarierët po bërtisnin, ndërsa i plagosuri humbi jetën para se të mbërrinte ambulanca. Ka qenë një grindje në kuzhinë.

Ai që ka goditur, me emrin Filim Shehi, tha se kishte një vit që punonte aty. I ndjeri kishte diçka më shumë. Kjo ka qenë një grindje e çastit, banale. Ata më thanë se nuk kishin rënë më parë në sy për konflikte,” është shprehur Cakrani.

Sipas të njëjtit burim, autori nuk është përpjekur të largohet nga vendngjarja.

“Ai u mbyll në një dhomë të personelit dhe priti policinë. Kur e arrestuan, ishte krejt i qetë,” ka shtuar Cakrani.

Next