E mitura më shumë se një javë e zhdukur pa gjurmë, e motra i kërkon ndihmë policisë për gjetjen!

Prej më shumë se një jave, figuron e zhdukur pa gjurmë një vajzë 15-vjeçare nga Korça, për të cilën motra e saj ka depozituar denoncim në policinë vendore.

Burime zyrtare e konfirmuan largimin e të miturës nga banesa dhe kallëzimin e kryer një ditë më parë nga 19-vjeçarja, e cila kërkoi ndihmë për gjetjen e të motrës.

“Në Komisariatin e Policisë Korçë ka kallëzuar shtetasja S. R., 19 vjeçe, se më datë 21 tetor, është larguar nga banesa motra e saj e mitur, shtetasja F. R., 15 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj”, njofton policia.

Nuk jepen detaje nga rrethanat e largimit, nëse ka pasur ndonjë mosmarrëveshje në familje apo e mitura është larguar me dëshirë ose nëpërmjet mashtrimit.

Por kanë nisur kërkimet nëpërmjet gjeolokimit të saj me kontaktet në rrjete sociale, lidhje telefonike dhe rrethin shoqëror.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.