Erion Veliaj do të dalë nga qelitë e paraburgimit të Durrësit më 31 Tetor, pra ditën e premte, për të marrë pjesë në seancën që do të mbahet për ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. AI ka kundërshtuar shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Dje, institucioni i vetëm dhe më i lartë i Republikës, që gjykon vlefshmërinë e ligjeve, akteve dhe dekreteve, konfirmoi se ka njoftuar avokatët e Erion Veliaj, se seanca për ankimin e tij do të mbahet me 31 Tetor dhe kërkonte prezencën e tij.
Ish-kryebashkiaku ka konfirmuar gatishmërinë për të qenë në seancën në Kushtetuese dhe menjëherë Gjykata ka vënë në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për datën dhe orën e seancës.
Sot, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka konfirmuar zyrtarisht për Euronews Albania se janë marrë të gjitha masat që kryebashkiaku i shkarkuar i Tiranës, Erion Veliaj të jetë i pranishëm fizikisht në seancën e Gjykatës Kushtetuese që do të zhvillohet më 31 tetor.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është njohur me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese dhe ka marrë masat përkatëse që shtetasi Erion Veliaj të marrë pjesë në seancën që do të zhvillohet në datë 31 tetor në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Kujtojmë se, prej 10 shkurtit 2025, Erion Veliaj ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës. Prokuroria e Posaçme ka renditur 13 akuza që rëndojnë mbi të dhe 12 mbi bashkëshorten Ajola Xoxa. Gjithashtu, të akuzuar bashkë me ta janë disa kompani, bashkëpunëtorë të afërt, ish-deputetja Klotilda Bushka dhe disa OJF.
 
				



