Policia e Tiranës ka vënë në pranga 34-vjeçarin Eugert Sino, pas zbulimit të një arsenali armësh dhe pajisjesh të kundërligjshme në një furgon të parkuar në rrugën “Myslym Shyri”. Sino dyshohet se kishte fshehur armët, të cilat mund të jenë pjesë e një rrjeti trafiku. Mjeti, i kamufluar me mbishkrimin “mirëmbajtje rrugore” dhe logon e një kompanie të njohur, ishte nën vëzhgim nga policia prej më shumë se një muaji.
Operacioni nisi kur Policia Rrugore ndërhyri me pretendimin se automjeti kishte bllokuar qarkullimin, por pas zbulimit të armëve, ndërhyrja vijoi nga forcat e krimeve. Gjatë kontrollit, u sekuestruan 23 armë zjarri, një silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë, pajisje për shpërthime në distancë dhe për bllokimin e valëve, si edhe uniforma të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
I arrestuari Eugert Sino mohoi çdo përfshirje në aktivitetin e paligjshëm, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për armët dhe se furgoni kishte qenë i parkuar prej kohësh pranë banesës së tij. Hetimet vijojnë për të zbardhur origjinën e arsenalit dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim, të dyshuar si pjesë e rrjetit kriminal që merrej me trafikim armësh.
 
				



