Avokati bën deklaratën e fortë: Pas Bashës pritet të thirren Berisha dhe …

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është paraqitur sot, më 30 tetor, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku është thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me dosjen e “21 Janarit”.

Hetimet për ngjarjen e rëndë të vitit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues përpara Kryeministrisë, duket se po hyjnë në një fazë të re, ku pritet të merren në pyetje disa nga figurat kryesore të qeverisë së asaj kohe.

Avokati Edmond Petraj, në një intervistë televizive, deklaroi se pas Bashës, në SPAK pritet të thirren edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta.

Sipas tij, Basha, në rolin e ministrit të Brendshëm në atë periudhë, mban përgjegjësi direkte për zinxhirin komandues të ngjarjes tragjike, ndërsa Berisha do të duhet të përballet me drejtësinë “si i pandehur”. Petraj shtoi se dosja e “21 Janarit” është afër përfundimit dhe pritet të ketë përgjegjësi për të paktën dhjetë zyrtarë të asaj kohe.

“Do thirret edhe Meta dhe Berisha. Ka pasur një mllef ndaj Sali Berishës, pasi erdhi edhe Gërdeci. Po drejtonte në një korrupsion të jashtëzakonshëm. PS mori shumë pushtet nga 2009-2013 mori një pjesë të mirë të ministrive. Po ta shikosh mandatin 2005-2009 kishte një qeverisje shumë të mirë, më pas erdhi rënia.

Roli i Lulzim Basha. Basha ka qenë ministër i Brendshëm dhe mban direk përgjegjësi për këtë ngjarjen e ’21 Janarit’. Zinxhiri komandues i asaj kohe drejtohej nga ish-ministri i Brendshëm. Nuk do të dalë pa lagur nga kjo mesele. Urdhër nga Berisha, përgjegjësia te Basha. Dosja e “21 Janarit” nuk do të gjenden deri në fund vrasësit, pasi provat u prishën që në atë kohë. Berisha do të mbajë përgjegjësi për “21 Janarit”.

Basha është i përfshirë, Berisha dhe Ilir Meta do të përfshihet edhe pse dha dorëheqjen në atë kohë. Kjo dosje është shumë e vështirë. Basha dhe Berisha të dy do të mbajnë përgjegjësi. Berisha do të thirret sërish, por si i pandehur. Ajo dosje ka minimalisht 10 veta të cilët do të mbajnë përgjegjësi për atë gjë. Kjo dosje po shkon drejt fundit”, tha Edmond Petraj.