Çfarë po ndodh në Vlorë? Policia “blindon” rrugët

Forcat e rendit në Vlorë kanë zhvilluar një aksion të befasishëm në zonën e Skelës mbrëmjen e sotme, me qëllim rritjen e sigurisë publike pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një 17-vjeçar, i përplasur nga një automjet tip “Porsche”.

Policia ka ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës, duke ndaluar për verifikim automjetet luksoze dhe ato me xhama të zinj.

Kontrollet fokusohen tek personat me precedentë penalë, ata në kërkim, si dhe tek qytetarët që mund të mbajnë armë të ftohta apo armë zjarri pa leje.

Aksioni pritet të vijojë edhe në zonat e tjera të qytetit, si pjesë e një operacioni të gjerë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe forcimin e rendit publik në Vlorë.