Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot kryeqytetin, pasi një kuzhinier u vra me thikë brenda një restoranti në kompleksin “Kika 2”, në zonën e njohur të Komunës së Parisit në Tiranë.
Viktima është Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht pasi u godit me thikë në qafë nga kolegu i tij, Filip Shehu, që punonte si picajol në të njëjtin lokal, “City Lounge”.
Sipas burimeve nga vendngjarja, konflikti mes dy punonjësve ka nisur për motive banale, por përplasja përfundoi në tragjedi.
Pas sulmit të papritur, Ismaillari u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë, pasi thika i kishte prekur arterien vitale dhe ai humbi shumë gjak.
Autori u arrestua menjëherë nga policia, e cila ndodhej pranë zonës në momentin e ngjarjes.
Në dëshminë e parë, Shehu ka pohuar se e ka kryer aktin pasi ishte bullizuar dhe tallur vazhdimisht nga viktima në vendin e punës.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje te stafi dhe banorët e zonës, ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit të rëndë që i mori jetën 34-vjeçarit.



