“Furgoni i emergjencës për të VRARË”, Karamuço TRONDIT me deklaratën: Lëviz kur ka nevojë për atentate

Një furgon me arsenal u kap një ditë më parë nga policia në Tiranë. Sipas Ervin Karamuçës, ky është një furgon lëvizës, që shpërndan armë.

Karamuço deklaroi në “Top Story” se furgoni ka qëndruar rreth tre muaj i parkuar pranë zonës së Myslym Shyrit, i palëvizur dhe i kamufluar me logot e kompanive që merren me mirëmbajtjen e rrugëve.

“Logoja është vënë kastile për t’u identifikuar dhe për të thënë ‘ej, mos i prekim këta se janë të filanit’”, tha ai, duke shtuar se për kapjen e këtij arsenali është përdorur edhe përgjim ambiental, në të cilin anëtarët e strukturës thoshin: “Ato të furgonit mos i prekim tani për tani”.

“Po kush është ky furgon? Policia ka kohë që po hetonte. Ky operacion rezultoi i suksesshëm sepse e kanë ditur shumë pak njerëz në polici. Kjo ka lidhje me një hetim të SPAK”, u shpreh Karamuço.

Sipas tij, është gjetur arsenali i një grupi kriminal, ku gjysma e anëtarëve janë arrestuar dhe gjysma janë në kërkim. Ai shtoi se ishte planifikuar një atentat me eksploziv në Tiranë.

“Në furgon janë gjetur armët që shihen në foto, por edhe aksesorët e detonimit në distancë të eksplozivit që do të përdorej për një ngjarje që parashikohej nga policia. Megjithatë, eksplozivi nuk është gjetur — “mund ta kenë hequr, mund ta kenë vendosur diku tjetër”, tha Karamuço.