Të gjithë studentët, shtetas shqiptarë të pranuar në institucionet publike të arsimit të lartë për programin e parë të studimeve, mund të aplikojnë për të përfituar mbështetje financiare nga buxheti i shtetit.
Studentët mund të aplikojnë deri më datë 20 dhjetor 2025 nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, në shërbimin elektronik “Aplikim për Mbështetje Financiare”, duke plotësuar formularin e aplikimit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se ka nisur aplikimi për bursat e ekselencës për studentët që kanë rezultate të shkëlqyera, po studiojnë në një program prioritar apo janë fitues të olimpiadave.
“Këtë vit, programi ofron bursë mujore në masën e pagës minimale në shkallë vendi; përjashtim nga tarifa vjetore e shkollimit për studentët ekselentë, ata që ndjekin programe prioritare dhe fituesit e olimpiadave”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u bëri thirrje studentëve që nëse kanë vështirësi në plotësimin e dokumentacionit online mund të drejtohen pranë zyrave të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë deri më 20 dhjetor.
Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë bën të ditur se këto bursa përfitohen nga studentët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare 10.00; studentët në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të maturës shtetërore është vlerësuar me jo më pak se nota e shkallëzuar 9.5 deri në 10.00.
Gjithashtu bursa përfitojnë studentët fitues të njërit prej tri çmimeve të para, në olimpiadat ndërkombëtare të arsimit parauniversitar, me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, pavarësisht notës mesatare, kur pranohet në programe studimi, që lidhen me lëndën, disiplinën ku ka fituar çmimin.
Bursa do të përfitojnë edhe studentët që kanë zgjedhur të ndjekin një prej programeve të studimit, që përbën prioritet kombëtar, të përcaktuar në vendimin nr. 386 datë 01.06.2022 të Këshillit të Ministrave, i ndryshuar me VKM nr. 448, datë 03.07.2024.



