Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçarin Hajri Bajramaj, i cili dy ditë më parë aksidentoi për vdekje 17-vjeçarin Leandro Shametaj në bulevardin “Ismail Qemali”.
Në sallën e gjyqit, Bajramaj ka pranuar përgjegjësinë për ngjarjen dhe është shfaqur i penduar, duke i kërkuar falje familjes së viktimës për tragjedinë e shkaktuar.
Ai ka deklaruar se aksidenti ka qenë i paqëllimshëm.
Sipas hetimeve të Policisë, 32-vjeçari po drejtonte një automjet tip “Porsche” në momentin e përplasjes.
Rezultatet paraprake kanë treguar se ai udhëtonte në gjendje të dehur, çka e ka bërë përplasjen të pashmangshme.
Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi masën arrest me burg, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mbrëmjen e 28 tetorit, kur Leandro Shametaj, 17-vjeç që kthehej nga puna me motor, u godit për vdekje nga automjeti i Bajramajt.
I riu u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.



