Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja janë përplasur në Parlament, mes batutave por edhe akuzave ndaj njëri-tjetrit.
Fillimisht Berisha ka ngritur pyetjen nëse kryeministri Edi Rama e ka kërcënuar prokurorin e SPAK-ut që po heton Belinda Ballukun përmes telefonit të Manjas, një pretendim i ngritur po nga Berisha disa ditë më parë.
Më pas, Berisha e ka shndërruar pyetjen drejtuar Manjas në fakt të kryer duke iu drejtuar atij: “I ke dhënë telefonin Ramës që të flasë me prokurorin”.
Debati mes tyre në sallën e Parlamentit kaloi më pas në akuza të ndërsjellta, për çmimin e kostumeve. Berisha aludoi se Manja ka kërkuar nga personazhi i njohur i botës së krimit, Altin Hajri, dy kostume.
Manja u përgjigj duke hequr xhaketën e kostumit të tij dhe duke treguar markën në sallë. “Vetëm copa e kostumit tënd ka kushtuar 2 mijë euro”, i tha ai Berishës.
Kreu i PD-së iu përgjigj duke thënë se përveç kostumeve dhe parave, Manja i ka këruar – sipas tij – Hajrit edhe një çantë Louis Vuitton.
“Përveç 500 mijë eurove, i the edhe një çantë Louis Vuitton. Për kë e do çantën? t’u përgjigj ai. Kaq po them nuk flas më”, i tha Berisha.



