“Berisha me zor e la të varroste nënën”- Ish-truproja flet për Nanon: Zgjodhi Edi Ramën pasi ishte i vetmi që …

Ish-truproja e Fatos Nanos, Viktor Agolli, ka ndarë rrëfime të rralla nga jeta e ish-kryeministrit socialist gjatë intervistës së tij në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa.

Ai ka kujtuar disa nga momentet më të vështira të jetës së Nanos, përfshirë periudhën e burgut, vdekjen e nënës dhe vendimet e rëndësishme politike që mori më vonë.

Agolli tregoi se një nga fatkeqësitë më të mëdha të jetës së Fatos Nanos ishte vdekja e nënës së tij në kohën kur ai ndodhej në burg.

Sipas tij, Nano u lejua ta përcillte të ëmën për në banesën e fundit vetëm pas ndërhyrjes së Ambasadës Amerikane, pasi autoritetet e asaj kohe nuk e lejonin.

“Fatkeqësia më e madhe e Nanos ishte kur i ndërroi jetë nëna, por makabriteti më i madh ishte ajo që iu bë nga Berisha dhe Meta, që i shkatërruan karrierën. Me zor e lanë të varroste nënën vetëm pas ndërhyrjes së Ambasadës Amerikane”, – rrëfeu Agolli.

Ai ka treguar gjithashtu edhe momentin e lirimit nga burgu, duke theksuar se Nano refuzoi çdo favor nga qeveritarët e kohës dhe e vuajti dënimin deri në ditën e fundit.

“Erdhi nga Burgu i Bënçës në Tiranë pasi i rrezikohej jeta. Qeveritarët e PD-së i thoshin ‘dil nga burgu’, por ai nuk pranoi. Doli më 13 mars, ndenji vetëm 10 minuta në familje për të takuar babanë dhe u nis menjëherë në Spille, ku qëndroi tri ditë në shtëpinë e Astrit Mërtirit,” – kujtoi Agolli.

Në intervistë, ish-truproja ka folur edhe për raportin mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës, si dhe arsyen pse Nano vendosi ta mbështeste Ramën për kryetar të Partisë Socialiste.

Sipas tij, Nano besonte se Edi Rama ishte i vetmi që mund ta mundte Sali Berishën në një klimë të ashpër politike.

“Për të mundur Berishën nuk ishte as Namik Dokle, as Servet Pëllumbi apo Ben Malaj. Në atë revansh agresiv politik, i vetmi që mund ta përballonte ishte Edvin Kristaq Rama, i zgjedhur nga Nano,” – tha Agolli.

Ai shtoi se në vitin 2005, Rama si kryetar bashkie kishte krijuar lëvizjet “MJAFT” dhe “G99”, që më pas u kthyen në faktorë kritikë ndaj vetë Nanos.

“Rama krijoi grupet ‘MJAFT’ dhe ‘G99’, me thirrjen ‘Nano ik’. Fillimisht Nano e përjetoi keq ngritjen e Ramës në parti, por më pas u bë mentori i tij. Megjithatë, pasi Rama erdhi në pushtet për herë të dytë e të tretë, marrëdhëniet mes tyre nuk mbetën të mira,” – përfundoi Agolli.