Nga Kongresi te burgosja, firmat piramidale, 97-ta dhe rikthimi! Edi Rama publikon 430 sekondat e Fatos Nanos: Lamtumirë… derisa të shihemi sërish(VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën këtë të shtunë me një videokartolinë lamtumirë për liderin historik të Partisë Socialiste, arkitektin dhe politikanin reformator Fatos Nano. Ai u nda nga jeta dje, në moshën 73 vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

“Mirëmëngjes, dhe me këtë videokartolinë lamtumire për liderin historik të socialistëve, mikun tim të dikurshëm e të rigjetur sërish, Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, por që nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e mia vëllazërore”, shkruan Edi Rama.

Pamjet nisin me Fatos Nanon duke qeshur, më pas i vetëm duke ndezur një cigare dhe kalojnë në një nga Kongreset e Partisë Socialiste, ku ai njofton se Partia e Punës së Shqipërisë kishte nisur transformimin e saj, që Shqipëria të ecte krah vendeve demokratike.

Pamjet vazhdojnë me momente private dhe publike nga jeta e Fatos Nanos, nga burgosja e padrejtë dhe dënimi me disa vite burg, firmat piramidale, koha e trazirave të 97-ës dhe rikthimi i tij fitimtar si kryeministër.

Ato vazhdojnë me takime të Nanos me figura të shquara të qeverisjes në Kosovë, si Ibrahim Rugova; samite ndërkombëtare, deklarata të kryeministrit në gjuhën angleze për mediat ndërkombëtare ku del në pah anglishtja brilante e tij, sulmi me armë ndaj Kryeministrisë, mbledhjet me socialistët etj.

Gjithashtu, në këtë videokartolinë 430 sekondëshe, evidentohet dhe martesa e dytë e Fatos Nanos me Xhoanën, momenti kur ai jep dorëheqjen nga drejtimi i PS dhe përlotja e Xhoanës në një nga lozhat e Pallatit të Kongreseve, si dhe fjalimi i tij i fundit si amanet për t’ia trashëguar Partinë Socialiste të ardhmes.

“Lamtumirë…”, shkruhet në fund të videos së përgatitur nga kryeministri Edi Rama, ndërsa i gjithë minutazhi shoqërohet me këngë lamtumire, një ndër to edhe ajo e Wizz Khalifa me titull “See You Again”, një homazh për aktorin e ndjerë Paul Walker.

Next