Dyshohet se vrau të riun shqiptar, arrestohet 21-vjeçari (DETAJE)

Policia italiane ka arrestuar një 21-vjeçar, i dyshuar si autor i vrasjes së shqiptarit Hekuran Cumani, 23 vjeç, banues në Fabriano, i cili u godit me thikë për vdekje para Universitetit të Matematikës në Peruxhia.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një sherri që shpërtheu në parking, mbrëmjen e 18 tetorit.

Hetimet e deritanishme tregojnë se i riu i arrestuar dyshohet se ka lidhje të drejtpërdrejtë me krimin. Urdhri i arrestit ndaj tij është lëshuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake e Peruxhias, me kërkesë të Prokurorisë.

Sipas raportimeve, atë mbrëmje Hekuran Cumani, vëllai i tij dhe disa miq kishin udhëtuar nga Fabriano drejt Peruxhias për të kaluar mbrëmjen në një klub nate në zonën universitare.

Brenda lokalit pati tensione dhe përplasje me disa të rinj italianë dhe të huaj, skena të cilat janë fiksuar nga kamerat e sigurisë.

Konflikti më pas vijoi jashtë, në parkingun pranë Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike, ku Cumani u godit me thikë. I plagosur rëndë, ai tentoi të largohej, por humbi jetën pak minuta më vonë. Edhe vëllai i tij mbeti i plagosur gjatë përleshjes.

Në kuadër të hetimeve, autoritetet italiane kanë arrestuar edhe një 18-vjeçar me origjinë marokene, i dyshuar për përfshirje në përleshjen që çoi në vrasje. Ai është gjithashtu nën hetim për kërcënime dhe posedim të objekteve të paligjshme, pasi më herët ishte përfshirë në një tjetër incident të dhunshëm në një klub nate, ku rojet e sigurisë u sulmuan me hanxhar dhe u spërkatën me sprajt piper.

Policia dhe prokuroria e Peruxhias vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë individuale në këtë ngjarje tragjike që i mori jetën të riut shqiptar.

Next