Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit, ku një person ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 13:35 të së shtunës, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës.
Autoritetet kanë arrestuar një të dyshuar, mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka qëlluar viktimën, gjithashtu mashkull kosovar.
Në vendngjarje është sekuestruar një pistoletë, një gëzhojë dhe një fishek, që dyshohet se janë përdorur gjatë incidentit.
Mësohet se viktima fillimisht është raportuar se kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa më pas rasti është kategorizuar si “vrasje” në raportin 24-orësh të policisë.
Sipas autoriteteve, me autorizim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim të mëtejshëm.
Policia e Kosovës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.




