Një trend i rrezikshëm po përhapet me shpejtësi mes të rinjve në Rusi, një pilulë e quajtur Molecule, e cila premton humbje peshe të menjëhershme.
Ky ilaç është bërë viral në TikTok, ku videot me slogane si “Merr Molecule dhe harro që ekziston ushqimi”. duke kanë magjepsur adoleshentët që kërkojnë rrugë të shpejta drejt trupit “ideal”.
Në videot që qarkullojnë në rrjete, shihen frigoriferë plot kuti blu me etiketën “Molecule Plus”. Por pas kësaj fasade “magjike”, fshihet një realitet shumë më i errët.
Efektet e rënda anësore
Maria, një 22-vjeçare nga Shën Petersburgu, i tha BBC-së se bleu pilulat nga një dyqan online. Pas vetëm dy javësh përdorimi, ajo humbi çdo ndjenjë oreksi, iu tha goja dhe filloi të përjetonte ankth të fortë e mendime negative.
“Kisha ndjesinë se më ndryshonte psikikën. Nuk doja të haja, nuk doja as të pija”, rrëfen ajo.
Raste të ngjashme janë raportuar në mbarë Rusinë. Të rinj kanë përfunduar në spital pas marrjes së dozave të mëdha të Molecule, përfshirë edhe një vajzë nga Siberia që kërkonte të humbiste peshë për verë. Një 13-vjeçar në Shën Petersburg u shtrua në spital pasi përjetoi halucinacione dhe panik.
Substanca e ndaluar: Sibutramina
Hetimet e gazetës ruse Izvestiya, zbuluan se Molecule përmban sibutraminë, një substancë që dikur përdorej si antidepresant dhe më pas si shtypës oreksi. Megjithatë, studimet treguan se ajo rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, ndërsa efektet në humbjen e peshës janë minimale. Për këtë arsye, ajo është e ndaluar në SHBA, BE, Kinë dhe shumë vende të tjera.
Në Rusi, sibutramina është e lejuar vetëm me recetë për të rriturit, por pilulat e Molecule shiten lirshëm online për rreth 8 dollarë për një furnizim 20-ditor, shumë më lirë se produktet legjitime si Ozempic.
Endokrinologia Ksenia Solovieva paralajmëron se “Vetëpërdorimi i këtij ilaçi është jashtëzakonisht i pasigurt, sepse askush nuk e di sasinë reale të substancës aktive që përmbajnë këto ‘suplementë’.”
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve ruse për të bllokuar faqet që shesin Molecule, tregtarët kanë gjetur mënyra për të anashkaluar rregullat, duke i listuar pilulat si “ushqim sportiv”, madje edhe si “drithëra” apo “biskota”.
Në disa raste, produkti është riemërtuar në “Atom” me të njëjtin dizajn paketimi.
BBC arriti të gjurmojë disa shitës që pretendonin se pilulat prodhoheshin në Gjermani apo Kinë, por shumë nga adresat e fabrikave të deklaruara rezultuan të rreme.
Rreziku i fshehur në rrjetet sociale
Në komunitetet online ku diskutohet për çrregullimet e të ngrënit, Molecule promovohet përmes hashtagëve të fshehur që kalojnë pa u vënë re nga moderatorët. Influencerja ruse Anna Enina, e cila ka pranuar se ka përdorur pilula të palicencuara, paralajmëroi ndjekësit e saj “Nëse keni luftuar ndonjëherë me çrregullime të ushqyerjes, pasojat do të jenë të tmerrshme. Do ta pendoheni dhjetëfish.”Maria, tashmë e rikuperuar, është bërë një zë paralajmërues në forumet e humbjes së peshës. Ajo i këshillon vajzat e reja të mos bien pre e reklamave mashtruese që qarkullojnë në rrjet.
Megjithatë, Molecule vazhdon të shitet në mënyrë të fshehtë dhe videot promovuese në TikTok nuk po ndalen.
Në një epokë ku “perfeksioni trupor” shpesh vjen përmes filtrave digjitalë dhe jo realitetit, Molecule është bërë simbol i një fiksimi të rrezikshëm me pamjen, një kujtesë se rrugët e shkurtra drejt “bukurisë” mund të çojnë drejt dëmëve të përhershme.