Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në Brighton, Angli, për furnizim me drogë të klasit A, pas një hetimi të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).
Ervis Doksani, pa vendbanim të caktuar, u arrestua mbrëmjen e 2 tetorit në Clarence Square, pasi u vëzhgua duke zhvilluar takime të shkurtra me persona të ndryshëm, që ngritën dyshime për aktivitet të paligjshëm me drogë.
Gjatë kontrollit, policia gjeti 12 qese me kokainë të fshehura në një kuti menteje dhe një kartoni cigaresh.
Në apartamentin e tij në Dyke Road, u sekuestruan 200 gramë të tjera kokainë, një pjesë e së cilës ishte fshehur në një tigan, si dhe rreth 1,000 paund cash.
Doksani doli para Gjykatës së Kurorës Lewes, ku u deklarua fajtor për posedim me qëllim furnizimin me drogë të klasit A dhe do të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e dënimit më 27 nëntor.
