Carlos Alberto Manzo Rodriguez, kryetari i bashkisë së Uruapanit në shtetin perëndimor të Meksikës, u qëllua për vdekje para dhjetëra njerëzve gjatë festimeve tradicionale të Ditës së të Vdekurve.
Ndërkohë, në momentin e vrasjes, ai ishte nën mbrojtjen e policisë.
Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi të shtunën në mbrëmje në qendrën e Uruapanit, ndërsa qindra banorë dhe turistë ishin pjesë në aktivitetin festiv.
Sipas raportimeve, një burrë i paidentifikuar e qëlloi Manzo Rodriguezin shtatë herë, duke plagosur gjithashtu një anëtar të këshillit bashkiak dhe një truprojë. Kryebashkiaku u dërgua në spital, por ndërroi jetë pak më vonë, konfirmoi prokurori i shtetit, Carlos Torres Pina.
Sekretari federal i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch, tha se arma e përdorur në atentat lidhet me dy përleshje të mëparshme midis grupeve kriminale rivale që veprojnë në rajon.
“Asnjë pistë hetimi nuk po përjashtohet për të sqaruar këtë akt frikacak”, deklaroi Garcia Harfuch.
Të dielën, qindra qytetarë të Uruapanit dolën në rrugë, duke mbajtur fotografin e Manzo Rodríguez, në shenjë proteste ndaj partisë në pushtet të Presidentes, Claudia Sheinbaum.
Carlos Alberto Manzo Rodríguez, ish-ligjvënës i partisë Morena, i cili kishte fituar postin e kryetarit të bashkisë si kandidat i pavarur. Sakaq, ai ishte quajtur nga mbështetësit e tij “Bukele i Meksikës” për shkak të qasjes së ashpër kundër krimit.
Kryebashkiaku ishte nën mbrojtje policore që nga dhjetori i 2024-s tre muaj pas marrjes së detyrës. Në maj të këtij viti, sigurimi i tij u shtua me polici bashkiake dhe 14 oficerë të Gardës Kombëtare.
Në muajt e fundit, Manzo Rodríguez kishte kërkuar publikisht ndihmën e Presidentes Sheinbaum për të luftuar kartelet, duke akuzuar guvernatorin Alfredo Ramírez Bedolla dhe policinë shtetërore për korrupsion.
