Nga ministrja Balluku te Ervis Berberi, zbulohen EMRAT e të gjithë të pandehurve për shkeljen e barazisë në tendera

Ka vijuar komunikimi i akuzave për veprën penale “Shkelje e barazisë në tendera”. Pas marrjes si të pandehur të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tashmë janë zbuluar edhe emrat e tjerë të të pandehurve.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se personat e tjerë të marrë të pandehur janë Gentian Gjyli, Erald Elezi, Ervis berberi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica.

Pas paraqitjes në SPAK të ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ditën e sotme në SPAK është paraqitur edhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli.

Ai u mor i pandehur, teksa burimet jo zyrtare raportojnë se SPAK i ka komunikuar ditën e sotme akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku kaloi të premten derën e Prokurorisë së Posaçme ku u mor e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”. Për më pak se 60 minuta përballë prokurorit Dritan Prençi asaj iu parashtruan faktet për të cilat dyshohet.

Për zëvendëskryeministren njëkohësisht ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë kjo përballje me organin e akuzës është vetëm një proces.

Në një njoftim zyrtar Prokuroria e Posaçme thotë se Balluku është marrë e pandehur dhe po hetohet për veprën penale Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, hetim ky i bashkuar me një tjetër të nisur një vit më parë./ Top Channel

Next