Forca të shumta të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policisë Bashkiake rrethuan ditën e sotme (3 nëntor) një kantier ndërtimi me objekte 2-3 katëshe, që rezultonte në shkelje flagrante të lejes së ndërtimit në zonën e Farkës.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për 7 vila që po ndërtohen nga Vladimir Kosta, ish-deputet i Partisë Socialiste.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e IMT-së, Dallëndyshe Bici, e ndoqën nga afër show-n e IMT-së si për të treguar se po punojnë kundër paligjshmërive! A thua se po të ishte në interesin e tyre do të ndërhynin…!
Blendi Sula deklaron se subjekti në fjalë kishte tejkaluar totalisht lejen zhvillimore.
Duke harruar se shpeshherë, kur është edhe në interes të xhepit të tyre bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh, Sula u bëri thirrje ndërtuesve dhe investitorëve të respektojnë rregullat urbanistike dhe ligjin, duke i paralajmëruar për pasojat që sjell ndërtimi pa leje.
“Bashkia Tiranë është e vendosur në mbrojtjen e territorit. Sot ishim në zonën e Farkës, ku një subjekt ka tejkaluar totalisht lejen e ndërtimit. Bashkia Tiranë ka evidentuar një listë me subjektet që në këtë zonë kanë shkelur ligjin dhe nuk i janë përmbajtur lejes së ndërtimit. Sinqerisht ju bëj thirrje ndërtuesve dhe investitorëve: zbatoni ligjin dhe respektoni rregullat urbanistike. Mos investoni duke ndërtuar pa leje, sepse jo vetëm do humbni paratë, por do përfundoni në burg. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama janë të vendosur në mbrojtjen e territorit dhe në luftën kundër ndërtimeve pa leje”, deklaroi Sula.
PAMJE nga (show) aksioni
Krahas videos nga aksioni, në një reagim zyrtar policia njofton se ndërtuesit, mbikyrësit, inspektorët e me radhë, që kanë shkelur kushtet e lejeve për vila e godina të shtrenjta, do të përballen me masat administrative e penale që parasheh legjislacioni në fuqi.
“Operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor për ata që ndërtojnë pa leje apo përtej lejes apo lejes për qëllime fitimi, shtrihet në zonat rreth Tiranës, ku ndërtuesit, mbikyrësit, inspektorët e me radhë, që kanë shkelur kushtet e lejeve për vila e godina të shtrenjta, do të përballen me masat administrative e penale që parasheh legjislacioni në fuqi.
Thirrje edhe qytetarëve të jenë të kujdesshëm kur blejnë prona, duke verifikuar statusin ligjor dhe raportuar çdo rast abuzimi”- njofton policia.
Katet shtesë të Vladimir Kostës te “Sky Tower” me bekimin e Veliajt
Ish-deputeti i PS Vladimir Kosta, të cilit i ngelte hatri me mospërfilljet e Ramës, ka larguar mërzinë duke ndërtuar komplekse vilash të reja në Tiranë falë mbështetjesnga Rama por edhe lejeve që i janë dhënë nga Veliaj. Në disa raste ai është përfshirë në afera të çuditshme të përfitimit të pronës shtetërore, por të qenurit ish-deputet ia ka lehtësuar këto probleme.
Një nga këto raste ishte edhe katet shtesë që Vladimir Kosta ngriti me bekimin e Erion Veliajt një nga ndërtesat më të larta të Tiranës, Sky Tower.
Kujtojmë po ashtu se Vladimir Kosta dëshmoi në SPAK për hetimet ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës. Sky Tower është kulla e Kostës dhe pikërisht aty Xoxa ka zyrat e ‘Harabel’.
Përsëritet “habia” e ministreve të Ramës me ndërtimet pa leje që “nuk i’ua zë syri”
Ministret e Ramës, Belinda Balluku dhe Albana Koçiu habiten me ndërtimet pa leje shumë kohë pasi ato janë ndërtuar, a thua se janë kasolle në periferi të Tiranës që s’ia zë syri askujt.
Në shtator të vitit 2022, një pallat 9-katësh, me 2 kate nën tokë dhe 7 të tjerë mbi tokë, u zbulua se ishte ndërtuar pa leje në zonën e Liqenit të Thetë dhe për këtë arsye u sekuestrua nga qeveria.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku thoshte asokohe se ky ishte rasti më flagrant i shkeljes së ligjit dhe pikërisht për këtë arsye aksionin e nisën nga ky subjekt. Subjekti ishte në pronësi të biznesmeni Julian Morina, i njohur ndryshe edhe si Lul Morina.
Në atë kohë, biznesmenit iu dhanë dy mundësi: duhet të paguajë gjobën prej 35.000 lekë për metër katror për objektin e tij, ose do e dhurojë që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet. Nëse nuk ndodh asnjëra prej tyre, biznesmenit Julian Morina do i konfiskohej pallati i ndërtuar pa leje.
“Se si ka ndodhur kjo, mbetet mister për ne.”- u shpreh zv.kryeministrja Belinda Balluku. Por, se si ka ndodhur është shumë e thjeshtë. Ka paguar ata që janë autorizuar me ligj për të moslejuar ndërtimet pa leje. Mes tyre, Morina ka korruptuar edhe shefin e komisariatit që mbulon zonën e Liqenit të Thatë.
Historia përsëritet sërish sot me Koçiun!
Ministrja Albana Koçiu teksa shfaqej në mes tq show-t si për të treguar se po punon ti japë fund paligjshmërive (kur u prishen interesat) tregoi se është një ushtare e bindur e Ramës dhe paralajmëroi se aksioni i sotëm do të pasohet nga një aksion kombëtar kundër ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin.
“Dua të theksoj që gjithë ky aksion vjen në vazhdën e paketës së masave ligjore të hyrë në fuqi në fillim të muajit tetor, të cilat kanë për synim të garantojnë e zbatojnë masa e sanksione konkrete. Këtu kam një thirrje për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të blejnë një pronë, që duhet të bëjnë shumë kujdes në verifikimin e statusit ligjor të saj dhe të lajmërojnë organet kompetente për çdo parregullsi apo situatë abuzive me pronën. Ky është një aksion që do të vazhdojë deri ditën e fundit për të garantuar ligjshmërinë dhe për të mbrojtur gjithë territorin e vendit nga çdo lloj abuzimi me pronën publike,” tha Ministrja e Punëve të Brendshme.
E shkuara si ‘atentator’ e Vladimir Kostës
Lad Kosta ka qenë shofer i politikanit Dashamir Shehi, një kohësisht edhe pretendent për atentator. Në prill të vitit 2000, Lad Kosta është dënuar me gjobë për armëmbajtje pa leje. Kosta ka qëlluar në ajër me pistoletë pasi është konfliktuar me shtetasin Edmond Topi, në rrugën “Hoxhë Vogli” në Tiranë, më 16 qershor 1999.
Gjatë procesit gjyqësor, Kosta e ka pranuar plotësisht fajin dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Dënimin për veprën jo të lehtë penale, Lad Kosta nuk e deklaroi në formularin e dekriminalizimit, duke kryer një tjetër vepër penale, atë të fasifikimit të dokumenteve. Pas verifikimeve, Prokuroria e Tiranës njoftoi në prill 2017 se i kishte kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve heqjen e mandatit për deputetin Vladimir Kosta.
Kosta, në atë kohë deputet, reagoi duke thënë se kishte harruar për t’a deklaruar dënimin në vitet 2000. Ai u shpreh se nuk e kuptonte se pse Prokuroria po merrej me këtë çështje.
“Kisha harruar një gjobë 10.000 lekë të marrë në vitin 2000. Ishte një gabim njerëzor dhe jo fshehje të dhënash. Më pas është çdo gjë e deklaruar. KQZ e mori një herë në shqyrtim formularin tim dhe nuk konstatoi shkelje. Nuk e kuptoj ku do të dalë Prokuroria me këto flluska sapuni”, shkroi Kosta asokohe./boldnews.al/




